Kush përfiton nga fondi 52 milionë euro në bujqësi dhe kush skualifikohet

Kanë nisur aplikimet për mbështetjen financiare në kuadër të Skemës Kombëtare në Bujqësi, ndërsa Ministria e Bujqësisë ka publikuar kriteret që duhet të përmbushin fermerët dhe subjektet aplikuese.

Sipas udhëzimit zyrtar, përfitues të skemës mund të jenë fermerët individualë, personat fizikë, personat juridikë dhe Shoqëritë e Bashkëpunimit Bujqësor. Fermerët individualë duhet të kenë NIPT aktiv si fermer, ndërsa subjektet e tjera duhet të jenë të regjistruara me NIPT/NUIS aktiv sipas aktivitetit për të cilin aplikojnë.

Për masat mbështetëse nga 1 deri në 8, aplikantët duhet të kenë shlyer detyrimet për sigurimet shoqërore. Gjithashtu, faturat përkatëse duhet të jenë lëshuar gjatë viteve 2025-2026. Pagesat do të kryhen në llogarinë bankare të deklaruar nga përfituesi dhe aplikanti nuk duhet të ketë detyrime të prapambetura ndaj AZHBR-së apo Ministrisë së Bujqësisë.

Për masat e investimeve 10, 11 dhe 12, makineritë, pajisjet dhe punimet duhet të jenë të reja dhe të realizuara pas lidhjes së kontratës. Financimi do të mbulojë vlerën e tregut të përllogaritur nga AZHBR, pa përfshirë TVSH-në.

Ndërkohë, nga skema përjashtohen personat apo subjektet e dënuara me vendim të formës së prerë për vepra penale si korrupsioni, mashtrimi, pastrimi i parave, evazioni fiskal, falsifikimi i dokumenteve apo kontrabanda.

Afati për aplikim është deri më 26 qershor. Aplikimet bëhen online në platformën e-Albania, ndërsa për masat 10-12 dosjet duhet të dorëzohen fizikisht pranë AZHBR-së.