Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë ka lëshuar 12 masa sigurimi ndaj punonjësve të policisë, zyrtarëve vendorë dhe biznesmenëve, të dyshuar për “Shpërdorim detyre”, “Mosmarrje të masave për ndërprerjen e gjendjes së paligjshmërisë” dhe “Ndërtim të paligjshëm”.
Masat janë dhënë në kuadër të hetimeve për procedimin penal nr. 304 të vitit 2026 dhe përfshijnë zyrtarë të Inspektoriatit Vendor të Mbrojtjes së Territorit në Bashkinë Sarandë, efektivë të Komisariatit të Policisë Sarandë dhe përfaqësues të biznesit të ndërtimit.
Sipas njoftimit zyrtar, deri tani janë ekzekutuar masat për katër persona:
- B.T., ish-shef i Seksionit të Krimeve në Volum në Komisariatin e Policisë Sarandë, ndaj të cilit është caktuar masa “arrest në shtëpi”;
- K.S., ndihmës specialist i policimit në komunitet në Komisariatin e Policisë Sarandë, ndaj të cilit është caktuar masa “arrest në burg”;
- K.SH., ndihmës specialist i policimit në komunitet në Komisariatin e Policisë Sarandë, ndaj të cilit është caktuar masa “arrest në burg”;
- A.P., pronar i hotel “Oasis”, ndaj të cilit është caktuar masa “arrest në burg” për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”.
Autoritetet bëjnë me dije se po vijon puna për ekzekutimin e tetë masave të tjera të sigurimit.
Prokuroria e Sarandës thekson se hetimet do të vazhdojnë për dokumentimin e plotë të rasteve dhe identifikimin e përgjegjësive të çdo personi apo institucioni të përfshirë.










