Vetëprodhuesit e energjisë, ndryshon faturimi – Skema e re

Qeveria ka miratuar skemën e re për vetëprodhuesit e energjisë nga burimet e rinovueshme, duke kaluar nga modeli i “matjes neto” tek ai i “faturimit neto”, një mekanizëm që synon të integrojë më tej prodhuesit familjarë dhe bizneset në tregun e energjisë elektrike.

Vendimi i publikuar në Fletoren Zyrtare përcakton rregullat dhe procedurat për lidhjen në rrjet të impianteve vetëprodhuese, si dhe mënyrën e kompensimit për energjinë e tepërt të injektuar në rrjet. Sipas skemës së re, energjia e tepërt nuk do të kompensohet më në kWh, por në vlerë monetare, përmes një sistemi faturimi neto.

Kjo do të thotë se energjia e injektuar në rrjet do të blihet nga furnizuesi i energjisë, ndërsa diferenca pozitive mes energjisë së dorëzuar dhe asaj të konsumuar do të kalojë si kredi monetare në faturën e muajit pasardhës.

Vendimi u jep të drejtën të gjithë konsumatorëve familjarë dhe jofamiljarë të lidhur në rrjet që të bëhen vetëprodhues të energjisë nga burime të rinovueshme, me një kapacitet maksimal të instaluar deri në 500 kWp.

Në dokument parashikohet gjithashtu që vetëprodhuesit të kenë të drejtë të prodhojnë energji për përdorim vetjak, ta ruajnë atë dhe të shesin tepricat në treg, përmes marrëveshjeve me furnizuesit e energjisë. Në rastin e pallateve apo ndërtesave me shumë apartamente, skema lejon edhe vetëprodhimin kolektiv dhe ndarjen e energjisë mes banorëve.

Një tjetër element i rëndësishëm është mënyra e përcaktimit të çmimit të energjisë së injektuar në rrjet. Për konsumatorët e furnizuar nga Furnizuesi i Shërbimit Universal, çmimi do të llogaritet mbi bazën e çmimit mesatar të energjisë në bursën ALPEX gjatë vitit paraardhës, duke marrë në konsideratë edhe kostot e rrjetit dhe balancimit. Megjithatë, vendimi përcakton se ky çmim nuk mund të jetë më i ulët se 80% e tarifës së energjisë për klientët familjarë.

Ndërkaq, Operatori i Sistemit të Shpërndarjes do të ketë detyrimin të krijojë brenda një viti një regjistër elektronik për monitorimin në kohë reale të prodhimit dhe konsumit të energjisë nga vetëprodhuesit, ndërsa aplikimet për lidhje në rrjet pritet të kalojnë në një portal online brenda 6 muajve.

SCAN