Operacion i gjerë në Sarandë dhe Ksamil, urdhër-arreste për efektivë policie, zyrtarë dhe biznesmenë

Një operacion i gjerë po zhvillohet në Sarandë dhe Ksamil, pas urdhër-arresteve të lëshuara nga Prokuroria e Sarandës ndaj efektivëve të policisë, zyrtarëve vendorë dhe biznesmenëve të dyshuar për përfshirje në shkelje lidhur me ndërtimet pa leje në zonat bregdetare.

Sipas burimeve, urdhër-arrestet janë lëshuar për dhjetëra persona, mes tyre punonjës të Komisariatit të Policisë Sarandë, zyrtarë të pushtetit vendor, si edhe ndërtues e biznesmenë të dyshuar për veprime të paligjshme në zonat turistike të jugut.

Deri tani janë ekzekutuar dy masa sigurie, një ndaj një efektivi policie dhe një tjetër ndaj një biznesmeni, ndërsa identitetet e tyre nuk janë bërë publike.

Operacioni po kryhet nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë në bashkëpunim me Komisariatin e Sarandës, ndërsa kontrollet vijojnë në banesa dhe ambiente të ndryshme për kapjen e personave në kërkim.

Hetimet paraprake dyshojnë për favorizime, mosveprim institucional dhe përfshirje në skema të ndërtimeve pa leje në zonat bregdetare.