Këtë të hënë janë hapur aplikimet për Skemën Kombëtare të Bujqësisë 2026, e cila parashikon një fond prej 5.2 miliardë lekësh të dedikuar për 12 masa mbështetëse dhe investime në sektor.
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, bëri të ditur se interesi nga fermerët ka qenë i menjëhershëm, duke raportuar mijëra aplikime në orët e para të hapjes së skemës.
“Deri tani ka 5 mijë fermerë që janë online duke aplikuar. Në një kohë shumë të shkurtër ka shumë interes,” u shpreh ai.
Ministri foli gjithashtu për zhvillimin e modeleve të Shoqërive të Bashkëpunimit Bujqësor, duke bërë të ditur se janë krijuar dhe po zhvillohen dhjetëra struktura bashkëpunimi në të gjithë vendin, si në formë publike ashtu edhe private.
Sipas tij, këto modele shtrihen në sektorë të ndryshëm bujqësorë dhe zona të ndryshme të vendit, duke përfshirë fruta-perimet, ullirin, bimët medicinale, qepën, pataten, drithërat dhe arrorët.
Ai theksoi se bashkëpunimi mes ministrisë, bashkive dhe fermerëve është thelbësor për zhvillimin e sektorit, ku secila palë ka rol të përcaktuar në orientimin, zbatimin dhe prodhimin bujqësor.










