Shqipëria e dyta në Europë për procedime penale për ryshfet

Kultura e ryshfetit në Shqipëri, e trashëguar prej dekadash sidomos pas viteve ’90, vijon të mbetet problem shqetësues, pavarësisht dixhitalizimit të një pjese të madhe të shërbimeve publike.

Sipas të dhënave të Eurostat për vitin 2024, në Shqipëri u regjistruan 261 procedime penale për dhënie ryshfeti, ose 10.9 procedime për 100 mijë banorë. Me këtë nivel, Shqipëria renditet e dyta në Europë pas Hungarisë, e cila kryeson me rreth 39 procedime për 100 mijë banorë.

Eurostat thekson se këto statistika duhen interpretuar me kujdes, pasi ndikohen nga mënyra e regjistrimit të rasteve, legjislacioni dhe intensiteti i zbatimit të ligjit në secilin shtet.

Në raportin për Shqipërinë, niveli i lartë i procedimeve lidhet me praninë e korrupsionit të vogël në shërbimet publike, kulturën e informalitetit dhe rritjen e fokusit të institucioneve ligjzbatuese ndaj veprave të korrupsionit.

Komisioni Europian ka vlerësuar se korrupsioni mbetet një problem serioz për vendin, edhe pse reforma në drejtësi dhe veprimtaria e SPAK kanë sjellë progres në hetimin e korrupsionit të nivelit të lartë.

Edhe Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit 2024 i Transparency International e rendit Shqipërinë me 42 pikë nga 100, në vendin e 80-të globalisht.

Në rajon, Shqipëria qëndron dukshëm mbi vendet e tjera për procedime penale për ryshfet. Mali i Zi regjistron 4 procedime për 100 mijë banorë, Kosova 2.24, Serbia 1.83 dhe Maqedonia e Veriut 1.2.

Ndërsa në vendet e Europës Perëndimore, shifrat janë shumë më të ulëta. Italia ka 0.52 procedime për 100 mijë banorë, Portugalia 0.48, Zvicra 0.41 dhe Spanja vetëm 0.18.

Sipas ekspertëve, në vendet me institucione më të dobëta ryshfeti mbetet më i dukshëm në shërbimet e përditshme, si administrata, shëndetësia apo pushteti vendor, ndërsa në vendet e zhvilluara korrupsioni shfaqet më shpesh në forma më të sofistikuara, si favorizimi në tendera dhe konfliktet e interesit.