Bashkimi Europian ka miratuar një tjetër paketë mbështetjeje për Forcat e Armatosura të Shqipërisë në kuadër të mekanizmit “European Peace Facility”.
Ministria e Mbrojtjes bëri të ditur se Këshilli i Bashkimit Europian ka dhënë dritën jeshile për paketën e tretë të asistencës me vlerë 21 milionë euro, duke e çuar në 49 milionë euro mbështetjen totale për Shqipërinë.
Sipas njoftimit, paketa përfshin mjete të blinduara të lehta, mjete taktike dhe inxhinierike, si dhe trajnim e mbështetje operacionale për Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
Ministria e Mbrojtjes e cilësoi këtë si një vlerësim konkret për seriozitetin, besueshmërinë dhe rolin aktiv të Shqipërisë përkrah aleatëve dhe partnerëve europianë në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.










