Kryeministri Edi Rama ka ndarë një foto nga takimi me homologun grek, Kyriakos Mitsotakis, gjatë vizitës së tij zyrtare në Athinë, ku po merr pjesë në punimet e Forumit Ekonomik të Delphit.
Në një postim në rrjetet sociale, kreu i qeverisë shqiptare thekson se marrëdhënia mes tyre është ndërtuar mbi një bashkëpunim të ngushtë dhe komunikim të drejtpërdrejtë, si në momentet pozitive ashtu edhe në ato më sfiduese.
“Me kryeministrin e Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, na lidh një miqësi e posaçme e farkëtuar në rrugën e përbashkët të ambicies për të modernizuar vendet tona dhe për t’i ngritur marrëdhëniet shqiptaro-greke në një nivel të ri,” shkruan Rama.
Ai shton se Shqipëria dhe Greqia po punojnë për zgjidhjen përfundimtare të çështjeve të mbartura mes dy vendeve, me synimin për të përmbyllur brenda këtij viti një marrëveshje të re partneriteti strategjik.
“Përgjatë kësaj rruge jo vetëm momentet më të mira, por edhe ato më të vështirat janë karakterizuar gjithnjë nga komunikimi plot respekt e pa dorashka,” thekson më tej Rama.










