Rama: Sazani mbetet i Shqipërisë, projekti i Kushner-Ivanka Trump me më pak ndërtime

L

Kryeministri Edi Rama deklaroi nga Vlora se ishulli i Sazanit do të mbetet pronë e Shqipërisë, ndërsa bëri të ditur se projekti për zhvillimin e tij nga kompania e lidhur me Jared Kushner dhe Ivanka Trump është ende në fazë negociatash.

Gjatë një takimi me operatorët turistikë, Rama theksoi se shteti shqiptar do të jetë pjesë e kompanisë që do të investojë dhe administrojë ishullin, duke garantuar përfaqësimin e interesit publik në këtë projekt strategjik.

Sipas tij, plani fillestar i ndërtimit ka pësuar ndryshime të rëndësishme, duke reduktuar ndjeshëm numrin e ndërtimeve dhe duke i dhënë projektit një profil më të orientuar drejt kulturës dhe artit.

Kryeministri siguroi se Sazani nuk do të kthehet në një resort të mbyllur apo një zonë elitare të rezervuar, por do të mbetet i aksesueshëm. Ai e cilësoi projektin si një ndër më të bukurit në Mesdhe, që pritet të sjellë përfitime të konsiderueshme për zhvillimin e turizmit në Vlorë.