Rama: Deri në 2 milionë euro mbështetje per fermeret

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar masa të reja në mbështetje të fermerëve dhe sipërmarrësve, gjatë një takimi të zhvilluar në Lushnje.

Sipas tij, bankat do të ofrojnë financim deri në 2 milionë euro për çdo fermer apo biznes prodhues që paraqet një plan konkret zhvillimi, ndërsa qeveria do të garantojë kreditë përmes një mekanizmi mbështetës.

Rama bëri me dije gjithashtu se do të ketë ulje të TVSH-së për fermerët që shesin produktet e tyre, përtej skemave ekzistuese të rimbursimit dhe programeve në bashkëpunim me Bashkimin Europian.

Ai paralajmëroi edhe nisjen, në fund të muajit prill, të një programi të ri kombëtar që synon të mbështesë të gjithë sektorët prodhues në vend.

Sipas kryeministrit, qëllimi është që bizneset e vogla prodhuese të rriten dhe të kthehen në sipërmarrje të mëdha, duke përdorur eksperiencën e viteve të fundit dhe duke e orientuar atë drejt zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik.