Fier /Nuk i ndaloi policisë, përplaset me një mjet të parkuar

Një aksident rrugor është shënuar mbrëmjen e sotme në unazën lindore të Fierit. Sipas informacionit paraprak, një drejtues automjeti nuk i është bindur urdhrit të policisë për të ndaluar dhe, gjatë përpjekjes për t’u larguar, ka humbur kontrollin mbi mjetin duke u përplasur me një automjet të parkuar.

Si pasojë e përplasjes, drejtuesi ka mbetur i dëmtuar dhe është transportuar me urgjencë në Spitalin Rajonal Fier, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet e policisë, forcat zjarrfikëse dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit. Drejtuesi i mjetit pritet të shoqërohet në komisariat për veprime të mëtejshme.