Tregjet e fruta-perimeve në vend po përballen me një valë rritjeje çmimesh në ditët e fundit, duke prekur veçanërisht produkte të përditshme si domatet dhe specat. Ky trend ka sjellë shqetësim tek qytetarët, të cilët po ndjejnë drejtpërdrejt koston më të lartë në shportën ushqimore.
Sipas tregtarëve, një ndër arsyet kryesore mbetet rritja e çmimit të karburantit, që ka shtuar kostot e transportit dhe shpërndarjes. Ndikimi është më i dukshëm tek produktet e importuara, të cilat vijnë kryesisht nga vendet fqinje dhe më gjerë.
Nga ana tjetër, edhe pse ka nisur dalja në treg e prodhimeve vendase nga serat, sasia ende nuk është e mjaftueshme për të përmbushur kërkesën. Kjo situatë mban në presion çmimet, të cilat sipas tregtarëve, kanë arritur nivele të pazakonta për këtë periudhë.
Paralelisht, fermerët përballen me kosto më të larta prodhimi, duke përfshirë inputet bujqësore dhe energjinë, çka reflektohet në çmimin përfundimtar.
Ndërkohë, qytetarët po tregohen më të kujdesshëm në blerje, duke reduktuar sasinë e konsumit për shkak të çmimeve të larta. Situata pritet të ndryshojë vetëm me rritjen e prodhimit vendas në javët në vijim, që mund të sjellë një stabilizim të tregut.










