Kryeministri Edi Rama deklaroi se objektivi për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian deri në vitin 2030 nuk është thjesht një aspiratë, por një plan konkret i mbështetur në procesin e negociatave.
Sipas tij, procesi ndahet në dy faza kryesore: faza teknike, që varet kryesisht nga Shqipëria, dhe faza politike, që është në dorën e vendeve anëtare të BE-së.
“Ky nuk është një premtim i pambështetur, por një plan i vendosur mbi tavolinë. Shpejtësia e hapjes së kapitujve është përcaktuar nga Komisioni Europian. Deri në fund të vitit 2027 synohet mbyllja e negociatave teknike, dhe më pas vendimi kalon në nivel politik”, u shpreh Rama.
Ai theksoi se aktualisht ekziston një përputhje interesi mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian: “Ne duam të anëtarësohemi, ndërsa BE synon zgjerimin. Kjo është një dritare mundësie që duhet shfrytëzuar.”
Procesi i anëtarësimit mbetet i kushtëzuar nga përmbushja e reformave dhe standardeve të kërkuara nga BE, si dhe nga vendimmarrja unanime e shteteve anëtare në fazën finale.










