Tre kamionë përplasen me fugonin, bllokohet qarkullimi ne aksin rrugor te Qafe- Plloçës

Një aksident rrugor ka ndodhur pak minuta më parë në zonën e Qafë-Plloçë, ku janë përfshirë tre kamionë dhe një fugon që transportonte pasagjerë.

Sipas të dhënave paraprake, nuk ka persona të plagosur rëndë, por vetëm dëme materiale. Disa persona, përfshirë një nga drejtuesit e mjeteve, janë dërguar në spitalin e Pogradecit për kontrolle mjekësore.

Aksidenti ka sjellë vështirësi në qarkullimin e mjeteve në këtë segment rrugor. Një nga kamionët raportohet se transportonte lëndë djegëse, çka ka shtuar rrezikun në zonë.

Për shkak të situatës, trafiku është devijuar përmes një rruge alternative të improvizuar pranë një pike karburanti. Në vendngjarje ndodhen forcat e policisë, të cilat po punojnë për normalizimin e qarkullimit dhe zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.