Procedime penale në Fier dhe Lushnjë, në kërkim një 40-vjeçar për vjedhje

Drejtoria Vendore e Policisë Fier ka referuar disa raste në Prokurori, ndërsa një person është shpallur në kërkim për vjedhje.

Specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve nisën procedim penal për një të mitur 15 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik iu gjet dhe sekuestrua një sasi e dyshuar lënde narkotike kanabis.

Ndërkohë, specialistët e Qarkullimit Rrugor referuan materialet në Prokurori për shtetasin A. M., 26 vjeç, banues në Lushnjë, pasi u kap duke drejtuar automjetin pa leje drejtimi.

Po ashtu, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier nisën procedim penal për shtetasit:

  • F. H., 41 vjeç, banues në fshatin Povelçë, i cili dyshohet se për motive të dobëta ka goditur me grushte një shtetas dhe i ka dëmtuar automjetin;
  • F. Rr., 65 vjeçe, banuese në Fier, e cila dyshohet se ka kanosur për shkak të detyrës një shtetase me profesion avokate.

Ndërkohë, specialistët e Komisariatit të Policisë Lushnjë shpallën në kërkim D. B., 40 vjeç, banues në fshatin Ura e Kuçit, Dimal, i dyshuar si autor i vjedhjes së një vegle muzikore më 10 mars 2026. Policia bën me dije se po punohet për kapjen e tij.