Shuarja e masës së pezullimit nga detyra, GJKKO rrëzon kërkesën e Belinda Ballukut

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka rrëzuar kërkesën e ish-zv.kryeministres dhe ish-ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, për shuarjen e masës së sigurisë “pezullim nga detyra”.Kërkesa e saj u shqyrtua nga gjyqtari Erion Çela, i cili vendosi të lërë në fuqi masën e vendosur më herët ndaj Ballukut në kuadër të hetimeve që po zhvillon SPAK.

Masa e sigurisë “pezullim nga detyra” ishte vendosur nga GJKKO në nëntor, kohë kur Balluku mbante postin e zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë. Ndërkohë, më 26 shkurt, kryeministri Edi Rama njoftoi shkarkimin e saj nga detyra.

Edhe pse tashmë e shkarkuar, Balluku kërkoi shuarjen e masës së pezullimit, duke argumentuar se ajo nuk ushtron më funksion publik. Megjithatë, gjykata vendosi që masa të mbetet në fuqi, ndërsa hetimet e SPAK vijojnë.