Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka njoftuar se sot, rreth orës 12:00, në segmentin rrugor Llogara–Palasë do të kryhet një shpërthim i kontrolluar me sasi të vogla eksplozivi, në kuadër të punimeve për hapjen e trasesë së rrugës.
Sipas njoftimit, ndërhyrja do të realizohet rreth 850 metra nga dalja e tunelit të Llogarasë në drejtim të Palasës. Procesi do të zhvillohet në mënyrë të koordinuar me Policinë e Shtetit, me qëllim garantimin e sigurisë dhe menaxhimin e qarkullimit të mjeteve në këtë segment.
ARRSH u bën thirrje qytetarëve dhe drejtuesve të automjeteve për mirëkuptim deri në përfundim të procesit të punimeve, duke theksuar se janë marrë të gjitha masat e nevojshme për sigurinë gjatë zhvillimit të ndërhyrjes.










