Qeveria miraton kredi 11.7 mln euro për hekurudhën Tiranë–Durrës dhe lidhjen me Rinasin

Qeveria ka miratuar në mbledhjen e saj të fundit kredinë për projektin e rehabilitimit të linjës hekurudhore Tiranë–Durrës dhe ndërtimin e lidhjes me Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës. Financimi do të merret nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe do të përdoret për elektrifikimin e kësaj linje hekurudhore, që konsiderohet një nga projektet më të rëndësishme për modernizimin e transportit në vend.

Pas mbledhjes së qeverisë, ministri Enea Karakaçi bëri të ditur se kredia e miratuar është 11.7 milionë euro, ndërsa projektit do t’i shtohet edhe një grant prej 12 milionë eurosh, i cili do të përdoret për të mbështetur realizimin e investimit.

Sipas tij, projekti ka një rëndësi të veçantë për zhvillimin e infrastrukturës hekurudhore në Shqipëri, duke qenë se kjo linjë është ndër të parat që po rikthehet në funksion pas degradimit të gjatë të rrjetit hekurudhor në vend.

Vendimi i Këshillit të Ministrave miraton në parim marrëveshjen e huas ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe BERZH-it për projektin “Hekurudhat Shqiptare – Rehabilitimi i linjës hekurudhore Tiranë–Durrës dhe ndërtimi i lidhjes hekurudhore me Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës: Zgjerimi i projektit”.

Vendimi është marrë në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të ligjit nr. 43/2016 “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozim të ministrit të Financave.

Sipas dokumentit zyrtar, vendimi hyn në fuqi menjëherë.