Programi i njohur i Llotarisë Amerikane do të ketë ndryshime të rëndësishme duke filluar nga aplikimet për DV-2027. United States Department of State ka publikuar një rregull të ri në Federal Register, i cili synon të luftojë mashtrimet dhe aplikimet e rreme në programin Diversity Visa.
Rregulli i ri hyn në fuqi më 10 prill 2026, rreth 30 ditë pas publikimit zyrtar, dhe pritet të zbatohet për aplikimet e programit DV-2027.
Ndryshimi kryesor është detyrimi për pasaportë të vlefshme gjatë aplikimit. Aplikantët do të duhet të vendosin të dhënat e pasaportës së tyre dhe të ngarkojnë online një scan të faqes biografike dhe të faqes së nënshkrimit të pasaportës. Dokumenti duhet të jetë në format JPEG dhe me madhësi maksimale deri në 5 MB. Në rast se pasaporta është e skaduar ose nuk ngarkohet dokumenti, aplikimi do të refuzohet automatikisht.
Një tjetër risi është edhe vendosja e një tarife simbolike rreth 1 dollar për aplikim, e cila synon të ulë numrin e aplikimeve masive dhe abuzimet me sistemin.
Sipas United States Department of State, çdo vit zbulohen miliona aplikime mashtruese ose të dyfishta, shpesh të kryera nga palë të treta pa dijeninë e aplikantëve. Vetëm në një program janë identifikuar rreth 2.5 milion aplikime të dyfishta.
Autoritetet amerikane theksojnë se kërkesa për pasaportë dhe verifikim dokumentesh do të ndihmojë në identifikimin e saktë të aplikantëve, reduktimin e aplikimeve të dyfishta dhe luftimin e mashtrimeve nga agjenci apo rrjete kriminale.
Për personat që planifikojnë të aplikojnë për DV-2027, rekomandohet të kenë pasaportë të vlefshme, scan të dokumentit gati dhe të aplikojnë vetëm një herë, pasi aplikimet e dyfishta çojnë në skualifikim.










