Rritja e çmimit të naftës pritet të shtrenjtojë frutat dhe perimet në treg

Frutat dhe perimet e prodhuara nga fermerët shqiptarë këtë sezon pritet të dalin me çmime më të larta në treg, për shkak të rritjes së çmimit të naftës dhe inputeve bujqësore si pasojë e tensioneve dhe konfliktit në Lindjen e Mesme. Ekspertët e ekonomisë paralajmërojnë se kostot e prodhimit mund të rriten deri në 50 për qind, duke rrezikuar konkurrueshmërinë e prodhimeve shqiptare në raport me vendet e rajonit.

Sipas ekspertëve, nëse rriten kostot e prodhimit dhe inputet bujqësore, atëherë edhe produktet bujqësore do të dalin në treg me çmime më të larta. Megjithatë, kjo nuk është një goditje vetëm për Shqipërinë, pasi rritja e kostove prek edhe vendet e tjera të rajonit që konkurrojnë në tregun bujqësor.

Megjithatë, Shqipëria pritet të ndikohet më shumë për shkak të çmimit më të lartë të karburanteve dhe taksave më të larta mbi to, çka rrit disavantazhin konkurrues përballë vendeve si Kosova dhe Maqedonia e Veriut, të cilat gjithashtu furnizojnë tregun rajonal me produkte bujqësore.

Ekspertët theksojnë se një nga mënyrat për të lehtësuar situatën është subvencionimi i naftës për fermerët dhe ulja e kostove të prodhimit. Sipas tyre, përveç subvencioneve në kohë krize, duhet të merren masa më të forta, si ulja e përgjithshme e taksave të karburantit.

Fermerët dhe zonat rurale konsiderohen më të prekurit nga rritja e çmimit të naftës, pasi ata janë të varur nga përdorimi i karburantit për punimin e tokës, transportin e prodhimeve dhe shpërndarjen e tyre drejt tregjeve dhe qendrave të banuara.

Ndërkohë, qeveria pritet të miratojë së shpejti masat e reja të Skemës Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi për vitin 2026, ku parashikohet edhe mbështetja me naftë për fermerët. Megjithatë, për shkak të rritjes së çmimit të karburantit, fermerët mund të përfitojnë më pak litra naftë nga subvencionet e parashikuara.