SPAK pajiset me teknologjinë e avancuar të përgjimit “IMSI Catcher”, investimi arrin në 5.1 milionë euro

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) është pajisur me një nga teknologjitë më të avancuara të përgjimit në botë, të njohur si “IMSI Catcher”, një aparaturë që mundëson përgjimin, lokalizimin dhe mbledhjen e të dhënave telefonike në kohë reale. Pajisja është blerë në vitin 2025 përmes një kontrate me vlerë rreth 1 milion euro me një kompani të huaj dhe tashmë ndodhet në zyrat e SPAK.

Informacioni për blerjen e kësaj pajisjeje u publikua fillimisht nga gazetari Elton Qyno dhe më pas u konfirmua edhe zyrtarisht nga SPAK. Institucioni nuk ka dhënë detaje mbi kompaninë kontraktuese apo çmimin e saktë të pajisjes, duke argumentuar se procedura është zhvilluar në mënyrë sekrete për arsye sigurie dhe për luftën kundër krimit të organizuar.

Sipas të dhënave, një skuadër e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) është duke u trajnuar prej disa muajsh nga ekspertë të specializuar për përdorimin operacional të kësaj teknologjie në terren. Pajisja, e prodhuar në Izrael, është e aftë të kapë sinjale telefonike dhe të ndërhyjë në komunikimet përmes telefonave celularë dhe aplikacioneve të komunikimit.

Prokurimi i “IMSI Catcher” është pjesë e një projekti më të gjerë modernizimi me vlerë totale 5.1 milionë euro, i miratuar me vendimin nr.188, datë 9 qershor 2025, nga Komiteti Ndërinstitucional për Masat Kundër Krimit të Organizuar. Projekti përfshin gjithashtu modernizimin e sistemit të përgjimit të SPAK, përditësimin në versionin më të fundit, rritjen e kapaciteteve të ruajtjes së të dhënave dhe shtimin e modulit për interceptimin e të dhënave IP.

Në Shqipëri, pajisje të tilla janë përdorur edhe më parë nga institucione të tjera të sigurisë. Fillimisht një sistem i tillë u përdor nga Shërbimi Informativ Ushtarak në kohën kur Ministria e Mbrojtjes drejtohej nga Arben Imami. Më pas pajisje të ngjashme janë përdorur edhe nga Shërbimi Informativ Shtetëror dhe Policia e Shtetit, kryesisht në operacione për kapjen e personave në kërkim dhe në hetime të ndryshme kriminale.

Sipas procedurave ligjore, përdorimi i “IMSI Catcher” në terren duhet të bëhet vetëm me autorizim të prokurorit ose me vendim gjykate.

Ndërkohë, projekti i modernizimit ka përfshirë edhe përmirësimin e qendrës së përgjimit të SPAK, e cila menaxhohet nga kompania “TBS 96” e biznesmenit Artan Xhori. Gjithashtu janë rritur kapacitetet e laboratorit të ekspertizës digjitale për analizimin e pajisjeve të sekuestruara dhe të dhënave financiare.

Në këtë kuadër, SPAK ka blerë licenca dhe programe të specializuara nga dy kompani ndërkombëtare: “Cellebrite DI Ltd”, me bazë në Izrael, dhe “INsig2 d.o.o”, me bazë në Zagreb. Për këto shërbime, që përdoren për analizimin e telefonave celularë dhe pajisjeve kompjuterike të sekuestruara gjatë hetimeve, institucioni paguan rreth 180 mijë euro.