Autoriteti Rrugor Shqiptar ka publikuar pranë Agjencisë së Prokurimit Publik procedurën tenderuese për sistemimin e rrëshqitjes në aksin Librazhd–Prrenjas. Tenderi do të jetë me negocim pa njoftim, që do të thotë se kompania fituese do të përzgjidhet drejtpërdrejt, pa garë të hapur.
Rrëshqitja në pikën e njohur si “Arrat e Gurrës” bllokoi për 11 ditë lëvizjen e automjeteve drejt juglindjes. Aktualisht qarkullimi bëhet përmes një devijimi provizor, i ndërtuar pranë pozicionit ekzistues të mëparshëm. Rruga alternative që do të ndërtohet do të kalojë në shtratin e lumit Shkumbin dhe do të integrohet me trupin e hekurudhës.
Segmenti provizor funksionon me sinjalistikë kantieri dhe përkohësisht është i paasfaltuar. Asfaltimi përfundimtar do të kryhet pasi shtresat të stabilizohen.
Autoritetet e rrugës bëjnë me dije se rrëshqitja ka ndodhur për shkak të faktorëve natyrorë dhe nuk lidhet me investimin për korridorin VIII. Megjithatë, disa ekspertë shprehin shqetësimin se rrëshqitja mund të jetë shkaktuar nga punimet për aksin e ri të korridorit, ndërsa organizatat e shoqërisë civile kanë ngritur shqetësime për ndërhyrjet në shtratin dhe brigjet e lumit Shkumbin.
Qarkullimi aktualisht është i hapur për të gjitha mjetet, përfshirë edhe ato me tonazh të rëndë, duke respektuar kufirin e 8.2 ton për aks.










