Rama për Ballukun: S’kam në plan ta shpall as hero e as viktimë, shpresoj që hetimi në SPAK të mos çojë në korrupsion
Kryeministri Edi Rama ka komentuar çështjen që lidhet me Belinda Ballukun dhe hetimin ndaj saj nga SPAK, duke theksuar se askush nuk është mbi ligjin dhe se çdo zyrtar mban përgjegjësi personale për veprimet e tij.
Rama tha se edhe brenda radhëve ka nga ata që mendojnë se fitoret e forta elektorale të Ballukut dhe skuadrës së saj në territor kanë ardhur për shkak të pushtetit që ajo ka pasur. Sipas tij, kjo mbetet për t’u parë në zgjedhjet e ardhshme, ku Balluku do të vijojë të drejtojë qarkun.
Ai theksoi se nuk ka ndërmend ta shpallë Ballukun as hero dhe as viktimë, por shprehu shpresën që hetimi i çështjes së saj në SPAK të mos përfundojë në akuza për korrupsion.
“Gjithkush pas të 18-ave varet nga këmbët e veta, me ligj dhe Zot. Unë si kryeministër, ndryshe nga sa mendojnë disa që nuk e kuptojnë këtë detyrë, nuk mund t’i mbaj pishën asnjë bashkëpunëtori”, u shpreh Rama.










