Izraeli mohon dëme nga sulmet iraniane: Asnjë viktimë nga raketat e raportuara

Izraeli ka reaguar ndaj pretendimeve të ushtrisë iraniane se gjatë sulmeve të fundit me raketa është goditur zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu, duke i mohuar pasojat e raportuara nga Teherani.

Sipas autoriteteve izraelite dhe raportimeve të medias The Times of Israel, nga këto sulme nuk ka pasur viktima apo persona të lënduar. Pala izraelite thekson se nuk janë regjistruar dëme njerëzore, pavarësisht deklaratave të ushtrisë iraniane.

Më herët, Garda Revolucionare Islamike e Iranit deklaroi se në kuadër të valës së dhjetë të sulmeve me raketa ka shënjestruar zyrën e kryeministrit izraelit, si edhe selinë e komandantit të Forcave Ajrore të Izraelit.

Agjencia iraniane e lajmeve Tasnim, duke iu referuar deklaratës së Gardës Revolucionare, raportoi se objektivat janë goditur me raketa të tipit Khyber në sulme të cilësuara si të befasishme dhe të drejtpërdrejta, duke pretenduar se janë shkaktuar dëme të mëdha.

Ndërkohë, Izraeli këmbëngul se nuk ka viktima apo të plagosur nga sulmet e raportuara dhe hedh poshtë pretendimet iraniane për pasoja të rënda.