Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier kanë referuar materialet në Prokurori, ku ka nisur procedimi penal për dy shtetas. Një 72-vjeçar u kap duke drejtuar një motomjet pa leje drejtimi dhe pa targa, ndërsa një 22-vjeçar, banues në Fier, u konstatua duke drejtuar automjetin pa leje drejtimi.
Ndërkohë, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier kanë nisur procedim penal ndaj një shtetasi 55 vjeç, i cili u konstatua duke kryer punime ndërtimi pa lejen përkatëse.
Në Divjakë, specialistët për Hetimin e Krimeve kanë referuar materialet në Prokurori për dy të mitur 15-vjeçarë, vëllezër, të cilët dyshohet se kanë dëmtuar dyert e një shkolle në fshatin Çermë-Sektor.
Po ashtu, ditën e djeshme në Spitalin Memorial Fier është paraqitur për ndihmë mjekësore një 54-vjeçare, banuese në fshatin Imësht, Lushnjë, e cila dyshohet se ka rënë aksidentalisht nga një karrocë pune. Ajo ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe po merr trajtim mjekësor.
Të gjitha materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme.










