Gjykata e Shkallës së Parë në Fier ka dhënë dënime të rënda për Laert Hasallën dhe Mariglen Matjanin, të cilët u gjetën fajtorë për një tentativë atentati dhe për mbajtje të paligjshme të armëve. Sipas vendimit gjyqësor, të dy do të vuajnë gjithsej 50 vite burg.
Ngjarja ka ndodhur më 30 mars 2023, kur ndaj Marius Hasallës u organizua një atentat si pasojë e një gjakmarrjeje familjare. Gjatë sulmit, i plagosur mbeti halla e tij, Bajame Seneja, pasi të dy ndodheshin në të njëjtin automjet.
Prokuroria ka konstatuar se Laert Hasalla ka qenë porositësi i atentatit, me qëllim eliminimin e Marius Hasallës. Motivi lidhej me hakmarrjen e vrasjes së Romeo Hasallës, vëllait të Laert Hasallës, nga i ati i Marius Hasallës.
Të akuzuarit u gjykuan për veprat penale: “Vrasja në rrethana cilësuese, kryer në bashkëpunim dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, mbetur në tentativë” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Gjykata vendosi masa të rrepta, duke theksuar rrezikshmërinë e veprimeve dhe ndikimin e tyre në sigurinë publike.
VENDIMI
Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, u shpallën fajtorë dhe u dënuan me 25 vite burgim, shtetasit Laert Hasalla dhe M.M. për veprat penale ‘Vrasja në rrethana cilësuese’ në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, e kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, parashikuar nga neni 79, gërma ‘ë’, 25 dhe 22 të Kodit Penal dhe ‘Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit’ parashikuar nga neni 278/1 i Kodit Penal.
Në përfundim të hetimit dhe gjykimit mbi procedimin penal nr. 150/2023, me të pandehur shtetasit L. H. dhe M.M. Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të përgjithshëm, Fier arriti të provojë se i pandehuri L.H., me qëllim për t’u hakmarrë ndaj vrasjes së vëllait të tij R.H., ka bashkëpunuar me të pandehurin M.M., të cilit i ka porositur eleminimin fizik të shtetasit M.H. Në datë 30.03.2023, rreth orës 16.00, në vendin e quajtur “Pisha”, fshati Garunjë, Lushnjë, i pandehuri M.M., pasi është informuar mbi targën e automjetit me të cilin udhëtonte shtetasi R.H., ka siguruar armën e zjarrit e ka përgatitur vendin nga do shtinte, ka qëlluar njëmbëdhjetë herë në drejtim të këtij mjeti. Si pasojë e sulmit ka mbetur e plagosur shtetasja B.S., pasagjere në vendin e parë të mjetit. Shtetasi M.H., shënjestra e sulmit, ka kuptuar sulmin dhe ka shtuar shpejtësinë duke bërë të mundur largimin e mjetit.
Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, shpreh angazhimin e plotë dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që kryejnë vepra penale kundër jetës dhe shëndetit.










