Ish-deputeti socialist Plarent Ndreca paraqitet në GJKKO

Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Plarent Ndreca, është paraqitur këtë të enjte në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ku po gjykohet për shkelje të barazisë në tendera dhe ankande publike gjatë kohës kur mbante detyrën e sekretarit të përgjegjshëm në Ministrinë e Brendshme.

Përmes avokatit të tij, Ermal Yzeiraj, Ndreca kërkoi shpalljen e moskompetencës nga GJKKO, duke argumentuar se një nga procedurat e prokurimit ishte me fond 0 dhe ishte konkurs projektimi, ndërsa procedura e dytë nuk përfshihej në fushën e prokurimeve pasi ishte me negocim pa shpallje dhe pa garë. Ai kërkoi që çështja të kalonte në gjykatën e juridiksionit të përgjithshëm, duke theksuar se mungonte objekti i veprës penale.

Ndreca kërkoi gjithashtu përjashtimin e gjyqtares Flojera Davidhi, por kjo kërkesë u rrëzua nga trupa gjykuese si e pabazuar në ligj.

Ish-deputeti po gjykohet me procedurë të zakonshme, ndryshe nga të akuzuarit e tjerë që kanë zgjedhur gjykimin e shkurtuar. Trupa gjykuese përbëhet nga gjyqtarët Rudina Palloj, Erjon Çela dhe Flojera Davidhi, ndërsa prokurorja e SPAK, Dorina Bejko, përfaqëson akuzën.

Në fjalën e tij, Ndreca përsëriti se një prej procedurave të prokurimit ishte me fond 0 dhe ishte konkurs projektimi, ndërsa procedura e dytë nuk përfshihej në sferën e prokurimeve, duke kërkuar shpalljen e moskompetencës dhe kalimin e çështjes në gjykatën e juridiksionit të përgjithshëm. Ai gjithashtu njoftoi se ka përgatitur një kërkesë tjetër paraprake për pavlefshmërinë e akteve hetimore.

Prokurorja Bejko deklaroi se çështja kishte kaluar shqyrtimin paraprak dhe kërkesa e Ndrecës ishte rrëzuar më parë. Ajo shtoi se të dyja procedurat ishin të ndërlidhura dhe akuzimi lidhej me një episod, ku qëllimi final ishte paracaktimi i fituesit të tenderit.

Në fund, GJKKO rrëzoi kërkesën e ish-deputetit për shpalljen e moskompetencës ndërsa seanca e rradhës u caktua për datën 5 mars.