Thyen arrestin shtëpiak, 38-vjeçari p*rplaset me policinë ,q*llohet me a*me

Një ngjarje e tensionuar është regjistruar mbrëmjen e sotme në Golem, ku një 38-vjeçar, i vendosur më herët me masë sigurie arrest në shtëpi, është konstatuar nga policia duke lëvizur lirshëm në rrugë. Gjatë ndërhyrjes së efektivëve për verifikim dhe shoqërim, situata ka agravuar në përplasje fizike.

Sipas të dhënave paraprake, rreth orës 19:10, gjatë një patrullimi rutinë, shërbimet e Policisë kanë konstatuar 38-vjeçarin të shoqëruar nga persona të tjerë. Gjatë komunikimit me efektivët, ai ka kundërshtuar urdhrat e policisë dhe, së bashku me një familjar dhe persona të tjerë të pranishëm, ka ushtruar rezistencë.

Për shkak të tensionit dhe grumbullimit të njerëzve në vendngjarje, një punonjës policie ka qëlluar një herë në ajër me armën e shërbimit për të shpërndarë turmën dhe për të vënë situatën nën kontroll. Më pas, me mbërritjen e forcave të tjera policore, u bë e mundur shoqërimi në komisariat i personave të përfshirë, si dhe i 38-vjeçarit që kishte thyer masën e sigurisë.

Veprimet procedurale po kryhen nga organet hetimore, ndërsa për rastin është njoftuar edhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, e cila pritet të verifikojë mënyrën e ndërhyrjes së policisë.