Aksi rrugor Prrenjas–Librazhd është bllokuar plotësisht në zonën e njohur si Arrat e Gurrës, për shkak të një rrëshqitjeje të madhe toke. Shembja ka shkaktuar dëmtime serioze në trupin e rrugës, duke e bërë kalimin të pamundur dhe jashtë çdo standardi sigurie.
Siç shihet edhe nga pamjet, një pjesë e asfaltit është çarë dhe zhvendosur, ndërsa rruga ka pësuar devijime të dukshme. Situata paraqitet e rrezikshme dhe çdo tentativë për kalim mund të rrezikojë jetën e qytetarëve.
Megjithëse ishte planifikuar që qarkullimi i automjeteve të rifillonte gjatë mesditës së sotme, për shkak të gjendjes aktuale kjo nuk pritet të ndodhë. Lëvizja në këtë aks vijon të mbetet e pezulluar deri në ndërhyrjen e autoriteteve përkatëse.










