Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, gjatë një konference për mediat këtë të premte, komentoi vendimin e Policisë së Shtetit për të mos marrë përsipër tubimin e Partisë Demokratike, i cili pritet të zhvillohet sot përpara Kryeministrisë.
Koçiu theksoi se e drejta për të protestuar dhe manifestuar është një e drejtë kushtetuese dhe i përket kujtdo, por paralajmëroi se çdo akt dhune do të ndëshkohet sipas ligjit.
Sipas saj, vendimi i Policisë së Shtetit lidhet drejtpërdrejt me precedentët e protestave të mëparshme, gjatë të cilave janë shënuar akte dhune ndaj efektivëve të policisë.
“Kjo është një procedurë që lidhet drejtpërdrejt me protestat e kaluara dhe dhunën që ka pasur gjatë atyre protestave. E drejta për t’u tubuar dhe manifestuar është e kujtdo. Policia e Shtetit ka për detyrë të garantojë ruajtjen e rendit dhe sigurisë dhe për këtë është dhe do të jetë aty,” u shpreh ministrja.
Ajo shtoi se protesta, qoftë me leje apo pa leje, duhet të zhvillohet në mënyrë paqësore, ndërsa çdo veprim që përbën vepër penale do të trajtohet nga organet e drejtësisë.
“Si të jetë një protestë me leje, si pa leje, kushdo që kryen një veprim të dënueshëm penalisht, padyshim që do të përgjigjet para ligjit. Prokuroria bën klasifikimin e veprës, në varësi të veprimit të kryer,” deklaroi Koçiu.
Sa i përket kërkesës për tubimin, ministrja tha se nuk ka informacion se kush e ka paraqitur, duke theksuar se për këtë çështje mund të japë sqarime Policia e Shtetit.










