Qeveria do të marrë 40 mln euro kredi për rehabilitimin e hidrocentralit të Fierzës, një nga veprat më të rëndësishme elektroenergjetike në vend.
Në Kuvend ka mbërritur marrëveshja e huasë me KfW-në gjermane, teksa në relacionin shoqërues shpjegohet se ky financim shtrihet mbi marrëveshjen e mëparshme të vitit 2022, që përmbante huanë origjinale të KfW-së dhe grante shoqëruese.
Sipas relacionit, huaja e re prej 40 mln euro, së bashku me një grant prej 1 mln euro do të mundësojnë përfshirjen e komponentëve shtesë elektromekanikë, përmirësimin e sistemeve të monitorimit në kohë reale dhe optimizimin e pajisjeve për një efikasitet më të lartë operativ. Këto ndërhyrje janë identifikuar si të domosdoshme pas një verifikimi të detajuar, që evidentoi se specifikimet fillestare të projektit nuk kapnin të gjitha nevojat teknike të impiantit.
Po ashtu, në relacion thuhet se këto ndërhyrje do të kontribuojnë në zgjatjen e jetës së impiantit për të paktën 30 vjet dhe në rritjen e efikasitetit të tij të përgjithshëm, në përputhje me strategjitë kombëtare për energji të qëndrueshme.
Ndërkaq, mungesa e ndërhyrjeve të plota deri më tani ka sjellë pasoja të konsiderueshme. Sipas të dhënave të përfshira në relacionin shoqërues, kapaciteti i prodhimit të hidrocentralit është reduktuar me rreth 4% në vit, përkatësisht një humbje prej 53,123 gWh në vit, që përkthehet në një humbje të të ardhurave prej rreth 2.656 milion eurosh për sektorin elektroenergjetik. Ky impakt negativ ekonomik lidhet drejtpërdrejt me mosrealizimin e rehabilitimit të plotë të turbinave dhe pajisjeve kryesore të energjisë.










