BE, 164 milionë euro për reformat në Shqipëri 

Rreth 164 milionë euro janë shpërndarë deri më tani për Shqipërinë nga Instrumenti për Reformë dhe Rritje i Bashkimit Evropian (RGF), i cili synon të përshpejtojë afrimin socio-ekonomik të vendit me standardet e BE-së, përmes mbështetjes së reformave dhe investimeve strategjike.

Lajmi u bë i ditur nga Drejtuesja e Bashkëpunimit në Delegacionin e BE-së në Shqipëri, gjatë një konference të organizuar nga Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim (CDI Albania).

Sipas saj, Shqipëria ka treguar përkushtim politik të lartë dhe rezultate konkrete në zbatimin e këtij instrumenti. Përveç fondeve të lëvruara, shuma të tjera janë në pritje për projekte të reja, ndërsa vendi po avancon në fusha kyçe si digjitalizimi, energjia, zhvillimi i kapitaleve dhe reformat strukturore.

Megjithatë, ajo theksoi se sfidat mbeten, veçanërisht për shkak të afateve ambicioze dhe nevojës për burime të mëdha njerëzore dhe financiare. Për këtë arsye, është duke u punuar me koordinatorët kombëtarë për një plan të përmirësuar veprimi për vitet 2026–2027.

Nga Agjenda e Reformave, deri tani janë zbatuar ose miratuar:

  • Strategjia Afatmesme e të Ardhurave
  • Harta e parë e digjitalizimit të sistemit të Kadastrës
  • Strategjia e Specializimit Inteligjent
  • Strategjia e Zhvillimit të Sipërmarrjes Inovative
  • Zbatimi i rrjetit 5G dhe forcimi i mbrojtjes së infrastrukturës kritike

Janë miratuar gjithashtu projektet e para të investimit, kryesisht në sektorin e energjisë:

  • Digjitalizimi i sistemit të transmetimit të energjisë
  • Rehabilitimi i Hidrocentralit të Fierzës
  • Ndërtimi i një linje të re transmetimi në dy qarqe

Po ashtu, pas vlerësimit pozitiv, janë miratuar edhe dy projekte të rëndësishme:

  • Elektrifikimi i linjës hekurudhore Tiranë–Durrës
  • Zhvillimi i infrastrukturës rajonale broadband

Ndërkohë, CDI Albania ka prezantuar edhe Gjurmuesin e Reformave (Reform Tracker), një platformë që monitoron progresin e Shqipërisë në reformat dhe investimet në kuadër të Agjendës Kombëtare të Reformave.