Përplasjet gjatë protestës së opozitës lanë të plagosur 19 efektivë policie, deputetin Bledion Nallbati dhe disa qytetarë, ndërsa rreth 20 protestues u shoqëruan në polici. Shumica e të lënduarve morën ndihmë mjekësore dhe u larguan nga spitalet, ndërsa deputeti dhe disa efektivë mbeten nën trajtim. Opozita paralajmëroi vazhdimin e protestave, duke caktuar 20 shkurtin si datën e mobilizimit të radhës.
Përplasjet mes protestuesve dhe forcave të rendit gjatë tubimit të opozitës në Tiranë përfunduan me dhjetëra të lënduar dhe shoqërime në polici.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, në Spitalin e Traumës dhe në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” u paraqitën gjithsej 21 persona, mes tyre 19 efektivë policie, një deputet dhe një qytetar.
Në Spitalin e Traumës morën trajtim 10 efektivë policie, deputeti i opozitës dhe një qytetar. Pas ndihmës mjekësore, shumica e efektivëve u larguan, ndërsa një prej tyre u transferua në shërbimin e Toksikologjisë për probleme me frymëmarrjen.
Ndërkohë, në QSUT u trajtuan edhe 10 efektivë të tjerë me simptoma intoksikimi dhe djegie, ku tre prej tyre u shtruan për trajtim të mëtejshëm.
Policia bëri të ditur se rreth 20 protestues të përfshirë në akte dhune janë shoqëruar në komisariate, ndërsa në rrugët e kryeqytetit mbetën molotovë të pashpërthyer dhe mjete piroteknike, që sipas autoriteteve mund të kishin shkaktuar pasoja më të rënda.
Pas përfundimit të protestës, drejtues të opozitës shkuan pranë komisariateve ku po mbahen të shoqëruarit, ndërsa kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se protestat do të vazhdojnë dhe paralajmëroi një tjetër mobilizim më 20 shkurt.
Ai e cilësoi tubimin si një demonstrim force të opozitës dhe u bëri thirrje mbështetësve për pjesëmarrje në aksionet e ardhshme politike.










