Protesta e 10 shkurtit, Policia angazhon mbi 1.000 efektivë

Policia e Shtetit ka hartuar planin e masave për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë protestës kombëtare të thirrur nga opozita, e cila do të zhvillohet të martën, më 10 shkurt, në orën 17:00, para Kryeministrisë.

Sipas burimeve për Euronews Albania, mbi 1.000 efektivë do të jenë në terren dhe në gatishmëri. Përveç forcave të rendit, do të angazhohen edhe Forcat Kombëtare të Sigurisë, RENEA, si dhe agjentë civilë.

Kufizime dhe bllokime të qarkullimit

Duke nisur nga ora 23:45 e së hënës, do të ndalohet parkimi i automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga zona e njohur si “Ura e Dajtit” deri te rruga “Ismail Qemali”, deri në përfundim të tubimit.

Ndërsa nga ora 15:00 e së martës dhe deri në mbylljen e protestës, do të bllokohet qarkullimi i automjeteve në:

  • Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi pranë Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”
  • Rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”

Në varësi të situatës, kufizime mund të vendosen edhe në akse të tjera rrugore. Policia e Tiranës ka parashikuar devijime të qarkullimit në rrugë alternative.

Apel për qytetarët

Policia u bën thirrje qytetarëve që të shmangin lëvizjen me automjete në akset e bllokuara, për të mos penguar zhvillimin e tubimit dhe lëvizjen e pjesëmarrësve.

Çfarë ndodhi në protestën e mëparshme

Në protestën e 24 janarit, u arrestuan 18 persona, 17 të tjerë u proceduan penalisht dhe dy protestues u shpallën në kërkim. Gjithashtu, u dëmtuan 11 punonjës policie, të cilët morën ndihmë mjekësore në spital.

Po ashtu, u procedua penalisht edhe sekretari organizativ i Partisë Demokratike, për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”.