Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për ankimimin e tij lidhur me pezullimin nga detyra të zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Në një mbledhje maratonë, tetë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese ndanë votat 4 pro dhe 4 kundër, duke mos arritur shumicën e nevojshme për rrëzimin e vendimit të Gjykatës së Posaçme. Si pasojë, mbetet në fuqi pezullimi i Ballukut nga detyra.
Reagimi i Ramës erdhi në podcastin e tij “Flasim”, ku ai akuzoi Gjykatën Kushtetuese se nuk gjeti “forcën” për të ndalur, sipas tij, një praktikë të paprecedentë në demokracitë perëndimore.
“Gjykata Kushtetuese nuk e gjeti dot forcën për të mos lejuar rimarrjen peng të qeverisë shqiptare me një mjet të paparë dhe të padëgjuar në botën demokratike”, – deklaroi Rama.
Kritika ndaj drejtësisë
Rama e cilësoi pezullimin e një anëtari të qeverisë nga një prokuror dhe një gjykatës, pa nisur ende gjyqi, si një “shpikje 100% Made in Albania” të drejtësisë së re, duke theksuar se Balluku nuk akuzohet për korrupsion.
Sipas tij, kjo situatë cenon parimin e ndarjes së pushteteve dhe pavarësinë e ekzekutivit nga sistemi gjyqësor.
“Zhbërja e kësaj shpikjeje mbetet një domosdoshmëri për të rigarantuar pavarësinë ekzekutive nga pushteti gjyqësor”, – u shpreh Kryeministri.
“Beteja do të vazhdojë”
Rama deklaroi se qeveria do të vijojë përballjen institucionale për të ndryshuar këtë praktikë.
“Ne do ta vazhdojmë këtë betejë, sepse një vendim i tillë nuk gjendet në asnjë vend të botës”, – theksoi ai.
Në fund, Kryeministri reagoi edhe ndaj kritikëve të qeverisë dhe drejtësisë, duke thënë se reformat për shtetin ligjor dhe integrimin europian kanë, sipas tij, një garant të vetëm.
“Lufta për drejtësi dhe për Shqipërinë europiane ka vetëm një garant: mua dhe këtë shumicë qeverisëse”, – përfundoi Rama.









