Qeveria shqiptare ka miratuar zyrtarisht ndërtimin e një centrali gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike me kapacitet 128 megavat, në zonën Sheq-Marinas, Bashkia Fier. Projekti do të realizohet nga shoqëria “SOLEN ENERGY” sh.p.k. dhe nuk do të jetë objekt koncesioni apo skemash mbështetëse financiare.
Vendimi i Këshillit të Ministrave parashikon që ndërtimi, pajisja me leje dhe vënia në operim e impiantit të përfundojnë brenda 36 muajve nga hyrja në fuqi e vendimit, ndërsa leja e operimit do të jetë për 49 vjet.
Sipas dokumentit zyrtar, parku fotovoltaik do të ndërtohet në tokë private në territorin e Qarkut Fier dhe do të shoqërohet me vepra ndihmëse për funksionimin e tij.
Një element i rëndësishëm i marrëveshjes është përfitimi i drejtpërdrejtë për shtetin shqiptar:
“SOLEN ENERGY” do t’i japë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë 2% të prodhimit vjetor të energjisë, në formë royalty, ose vlerën monetare të konvertuar të kësaj sasie, e cila do të derdhet në buxhetin e shtetit.
Shoqëria ka gjithashtu detyrimin:
- të raportojë çdo 3 muaj mbi ecurinë e projektit;
- të respektojë lejet dhe kushtet mjedisore;
- të dorëzojë sigurim kontrate në masën jo më pak se 5% të vlerës së investimit;
- dhe, sipas nevojës, të shesë një pjesë të prodhimit për furnizuesin publik.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore do të ushtrojnë mbikëqyrje periodike çdo tre muaj, për të garantuar që projekti zbatohet sipas standardeve teknike dhe ligjore.
Ky projekt konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt rritjes së prodhimit të energjisë nga burime të rinovueshme dhe forcimit të pavarësisë energjetike të vendit, veçanërisht për zonën e Fierit dhe gjithë jugun e Shqipërisë.
Vendimi është firmosur nga Kryeministri Edi Rama dhe hyn në fuqi menjëherë pas botimit në “Fletoren Zyrtare”.









