Mishi i importit pushton tregun shqiptar, vendasit nuk konkurrojnë dot me çmimet

Mishi i huaj po zë gjithnjë e më shumë hapësirë në tregun shqiptar, duke dominuar furnizimin dhe duke ushtruar presion të fortë mbi prodhimin vendas. Të dhënat zyrtare të importeve për vitin 2025 tregojnë se Shqipëria është kthyer në një treg të varur nga mishi i ardhur nga jashtë, me diferenca ekstreme çmimesh për kilogram.

Nga përpunimi i shifrave rezulton se mishi është importuar nga dhjetëra vende, me çmime që variojnë nga vetëm 46 lekë/kg deri në 6,460 lekë/kg, një hendek që tregon jo vetëm pabarazi në origjinë, por edhe një strukturë tregu të mbështetur fort te importi.

Në krye të listës për mishin më të shtrenjtë renditet Kili, me rreth 6,460 lekë/kg, ndonëse sasia e futur është simbolike – vetëm 173 kg. Pas tij vjen Japonia me 3,577 lekë/kg për vetëm 2.8 ton, ndërsa Australia dhe Uruguai shfaqen me çmime shumë të larta, përkatësisht mbi 2,650 lekë/kg dhe rreth 1,440 lekë/kg.

Edhe vende si Botswana, Irlanda, Austria, Maqedonia e Veriut dhe Argjentina regjistrojnë çmime nga 500 deri mbi 1,500 lekë/kg, sërish për sasi të vogla, por që rrisin mesataren e përgjithshme.

Në anën tjetër të tabelës janë vendet që furnizojnë Shqipërinë me mish shumë të lirë. Sllovakia kryeson me vetëm 46 lekë/kg, e ndjekur nga Belgjika, Sllovenia, Lituania dhe Greqia, me çmime nën ose rreth 100 lekë/kg.

Brazili, nga i cili vjen edhe volumi më i madh i importit, ka një çmim mesatar prej 189 lekë/kg, ndërsa Italia rreth 198 lekë/kg. Pikërisht këto tregje me çmime të ulëta përbëjnë bazën e furnizimit masiv të tregut shqiptar.

Këto shifra tregojnë se tregu nuk dominohet nga importet “premium”, por nga mishi i lirë i huaj, i cili po konkurron drejtpërdrejt prodhimin vendas. Për fermerët shqiptarë, të cilët përballen me kosto të larta prodhimi, energjie dhe ushqimi për bagëtitë, konkurrenca me mishin e importuar me çmime nën 200 lekë/kg është praktikisht e pamundur.

Importet me çmime shumë të larta nga Japonia, Kili apo Australia mbeten simbolike dhe të destinuara për konsum të specializuar, por nuk ndikojnë në tregun masiv. Ndikimin real e ka mishi i lirë nga Europa Lindore dhe Amerika Latine, i cili sot përbën boshtin e furnizimit të Shqipërisë.

Në këtë panoramë, mishi i importit jo vetëm që ka “pushtuar” tregun, por po e zhvendos gjithnjë e më shumë mishin vendas në periferi të konsumit