Një automjet është përfshirë nga flakët ditën e sotme në zonën e Ujit të Ftohtë, në qytetin e Vlorës, duke shkaktuar bllokim të përkohshëm të qarkullimit rrugor.
Sipas të dhënave paraprake, mjeti ka marrë flakë gjatë lëvizjes dhe brenda pak minutash është përfshirë totalisht nga zjarri. Si pasojë, trafiku në këtë segment u ndërpre për disa minuta, derisa forcat e emergjencës siguruan zonën.
Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje mbërritën shërbimet zjarrfikëse, të cilat bënë të mundur shuarjen e flakëve dhe neutralizimin e rrezikut. Fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa shkaqet e zjarrit mbeten ende nën hetim.
Qarkullimi është normalizuar pas ndërhyrjes së shërbimeve, ndërsa autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të respektojnë sinjalistikën dhe të tregojnë kujdes në këtë zonë.










