Balluku, Malaj dhe Salla mes fermerëve të Fierit: Skema Kombëtare 2026 me buxhetin më të madh ndonjëherë

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, njëkohësisht Drejtuese Politike e Qarkut Fier, Belinda Balluku, zhvilloi sot një takim me fermerë dhe blegtorë nga Fieri, Mallakastra, Patosi dhe Roskoveci, së bashku me Ministrin e Financave Petrit Malaj dhe Ministrin e Bujqësisë Andis Salla.

Gjatë takimit, fermerët ngritën problematikat që hasin çdo ditë në punën e tyre, nga kostot e prodhimit te mungesa e tregut dhe subvencionet, ndërsa ministrat theksuan se Skema Kombëtare 2026 do të ketë buxhetin më të madh të akorduar ndonjëherë për bujqësinë, me qëllim mbështetjen reale të sektorit.

Balluku u shpreh se zëri i fermerëve është thelbësor për hartimin e politikave publike dhe se vendimet nuk duhet të merren nga zyrat, por nga terreni. Sipas saj, bujqësia mbetet një nga shtyllat kryesore të zhvillimit ekonomik të qarkut Fier.

Nga ana e tij, ministri i Financave, Petrit Malaj, deklaroi se mbështetja financiare për sektorin bujqësor do të rritet ndjeshëm, ndërsa ministri i Bujqësisë, Andis Salla, theksoi se skema e re do të jetë më e thjeshtë dhe më e aksesueshme për fermerët.

Takimi u vlerësua si një hap i rëndësishëm për afrimin e institucioneve me terrenin dhe për ndërtimin e politikave që burojnë nga nevojat reale të fermerëve.