IGJEO: 24 orë reshje të dendura në disa qarqe të vendit

Sipas Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit (IGJEO), gjatë pasdites së kësaj të mërkure dhe ditës së enjtes, vendi do të përballet me reshje të ndryshme intensiteti.

  • Në Shkodër, Vlorë dhe Gjirokastër, priten reshje mesatare deri lokalisht intensive.
  • Në Kukës, Fier, Berat dhe Korçë, reshjet do të jenë më të dobëta deri lokalisht mesatare, të shoqëruara me shtrëngata.
  • Reshje të dobëta priten gjithashtu edhe në qarqet e tjera të vendit.

Temperaturat do të regjistrojnë rënie të ndjeshme gjatë ditës së enjtes, me ulje prej rreth 3°C. Minimat do të jenë rreth 1°C, ndërsa maksimalet jo më shumë se 15°C.

Në lartësitë mbi 1,000 m mbi nivelin e detit, reshjet pritet të jenë në formë dëbore, jo vetëm në Veri, por edhe në Lindje dhe Juglindje të vendit.

Një tjetër shqetësim është era, e cila do të fryjë mesatare deri e fortë sidomos në Jug dhe zonën bregdetare. Për shkak të kushteve, lundrimi i anijeve të vogla dhe të peshkimit do të jetë i pezulluar, ndërsa kjo gjendje pritet të vazhdojë deri të enjten, kur era do të reduktohet në det të hapur.