Me ftesë të Selisë së Shenjtë, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka nisur një vizitë zyrtare në Vatikan, ku do të pritet në audiencë nga Ati i Shenjtë, Papa Leoni XIV.
Kryeministri Rama është nisur drejt Romës i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, znj. Linda Rama, si dhe nga një delegacion zyrtar.
Gjatë vizitës, Kryeministri do të vizitojë Pallatin Apostolik të Vatikanit, ku do të pritet në oborrin “San Damaso” nga Prefekti i Shtëpisë Papnore dhe përfaqësues të Selisë së Shenjtë. Ceremonia e pritjes do t’i paraprijë audiencës zyrtare me Papa Leonin XIV, e cila do të zhvillohet në Bibliotekën Papnore.
Më pas, vizita do të vijojë në Bazilikën e Shën Pjetrit, ku Kryeministri Rama do të ndalet në mjediset simbolike si:
Stanza delle Lacrime, Cappella Paolina, Sala Reggia, Kapela Sistine, si dhe pranë altarit të Shën Gjon Palit II.
Në përfundim të qëndrimit në Vatikan, Kryeministri dhe bashkëshortja e tij do të vizitojnë edhe vendvarrimin e Papa Françeskut në bazilikën Santa Maria Maggiore.
Në kuadër të kësaj vizite janë parashikuar edhe takime të tjera zyrtare, përfshirë një takim me Kardinalin Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit të Vatikanit.










