Rivlerësimi i pronave nis së shpejti: 5% tatim dhe mijëra kontrata në pritje

Së shpejti pritet të nisë zyrtarisht procesi i rivlerësimit të pasurive të paluajtshme në të gjithë vendin, një lehtësi fiskale që synon të nxisë tregun e pasurive dhe të ulë barrën tatimore për qytetarët dhe bizneset.

Ligji që u jep të drejtën qytetarëve dhe subjekteve të rivlerësojnë pronat e tyre me një normë tatimore të reduktuar prej 5% ka hyrë në fuqi më 22 janar, por për zbatimin e tij ende pritet udhëzimi përkatës. Sipas burimeve nga Ministria e Financave dhe tregu i pasurive të paluajtshme, ky udhëzim pritet të miratohet brenda muajit shkurt, duke hapur rrugën për nisjen e aplikimeve.

Shoqata Kombëtare e Ndërmjetësve të Pasurive të Paluajtshme (NAREA) bën me dije se aktualisht janë rreth 6 mijë kontrata të bllokuara, në pritje të këtij procesi, pasi pronarët kanë zgjedhur të presin për të përfituar nga norma e ulur tatimore, në vend të asaj aktuale prej 15%.

Nga kjo nismë pritet të përfitojnë drejtpërdrejt rreth 500 mijë familje, ndërsa tregu i pasurive të paluajtshme parashikohet të marrë një shtysë të fortë.

Afatet dhe procedura

Sipas ligjit, kërkesat për rivlerësim të depozituara pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK), për të cilat është paguar tatimi, por që nuk kanë përfunduar brenda datës 31 dhjetor 2026, do të konsiderohen automatikisht objekt rivlerësimi dhe procedurat do të mbyllen deri më 31 mars 2027.

Rivlerësimi i pronës mund të kryhet:

  • nga një ekspert i licencuar për vlerësimin e pasurive,
  • nga institucionet përkatëse, ose
  • nga drejtoritë vendore të ASHK-së.

Nëse individi zgjedh që vlera të llogaritet sipas çmimit të tregut, ai përzgjedh një ekspert të licencuar dhe i bashkëlidh aktin e vlerësimit aplikimit të tij. Tatimi përkatës llogaritet nga ASHK-ja.

Në rast se rivlerësimi bëhet sipas çmimeve minimale fiskale, aplikimi kryhet drejtpërdrejt pranë ASHK-së, e cila bën edhe përllogaritjen e tatimit me normën 5%.