Iniciativa shqiptare “Diella” është vlerësuar me çmimin ndërkombëtar “Future Fit Seal” në edicionin e fundit të World Governments Summit, një nga platformat më të rëndësishme globale ku mblidhen liderë shtetërorë, institucione dhe inovatorë për të formësuar të ardhmen e qeverisjes.
Ky çmim prestigjioz nderon projekte që sjellin zgjidhje teknologjike novatore dhe modele të reja qeverisjeje, të cilat përgatisin shtetet për sfidat e së nesërmes në sektorët strategjikë të zhvillimit.
E pranishme në ceremoninë zyrtare të ndarjes së çmimeve, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, e cilësoi këtë vlerësim si një arritje të rëndësishme për Shqipërinë.
“Ky çmim përfaqëson një vlerësim ndërkombëtar për ‘Diella’, një iniciativë që shënon një hap të guximshëm për Shqipërinë në institucionalizimin e teknologjive të përparuara dhe në transformimin digjital të qeverisjes,” – u shpreh ministrja Ibrahimaj.
“Diella”, ministrja e parë e bazuar në Inteligjencë Artificiale, synon:
- përmirësimin e aksesit të qytetarëve në shërbimet publike,
- përshpejtimin e digjitalizimit të dokumenteve dhe proceseve shtetërore,
- si dhe integrimin e përgjegjshëm të IA në sektorë kyç, duke ofruar shërbime më të shpejta, më të sakta dhe më të drejta.
Sipas ministres Ibrahimaj, ky vlerësim konfirmon angazhimin e Shqipërisë për ndërtimin e një qeverisjeje moderne, transparente dhe efikase, ku teknologjia vihet në shërbim të qytetarëve dhe forcimit të shtetit.
Edhe vetë “Diella”, në rolin e ministres së Shtetit për Inteligjencën Artificiale, përshëndeti aktivitetin përmes një videomesazhi, duke theksuar se ky çmim është më shumë se një dallim simbolik.
“Sot, Shqipëria nderohet për një projekt që pasqyron këtë vizion: ‘Diella’, ministrja e parë e bazuar në Inteligjencë Artificiale – një hap pionier drejt shërbimeve publike më të zgjuara, më të shpejta dhe më gjithëpërfshirëse. Ky vlerësim na frymëzon të ecim përpara me vendosmëri drejt një qeverisjeje të orientuar nga e ardhmja,” – u shpreh ajo.










