Bllokohet totalisht rruga Librazhd–Prrenjas nga rrëshqitjet e gurëve

Prej orës 11:00 të paradites, qarkullimi në aksin e rrugës kombëtare Librazhd–Prrenjas është bllokuar plotësisht, duke shkaktuar kaos dhe radhë të gjata automjetesh në të dy drejtimet.

Shkak për këtë situatë të rëndë janë bërë rrëshqitjet masive të gurëve, me dhjetëra e qindra metra kub material shkëmbor, të cilat kanë rënë mbi trasenë e rrugës në zonën e njohur si “Kthesat e Dragostunjës”.

Masat e mëdha shkëmbore kanë pushtuar të gjithë segmentin rrugor, duke e bërë të pamundur kalimin e mjeteve dhe duke paraqitur rrezik serioz për sigurinë e drejtuesve të automjeteve.

Si pasojë, qindra drejtues mjetesh kanë mbetur të bllokuar për orë të tëra në një nga arteriet më të rëndësishme kombëtare që lidh Librazhdin me juglindjen e vendit. Autoritetet pritet të ndërhyjnë për pastrimin e rrugës dhe normalizimin e qarkullimit.