Ministria e Mbrojtjes paralajmëron reshje të forta dhe shtrëngata në disa qarqe

Ministria e Mbrojtjes ka ngritur nivelin e vëmendjes për shkak të motit të paqëndrueshëm që pritet të përfshijë disa qarqe të Shqipërisë gjatë orëve të pasdites së sotme dhe përgjatë ditës së nesërme.

Sipas të dhënave të Institutit të Gjeoshkencave (IGJEO) dhe Shërbimit Meteorologjik Ushtarak (SHMU), parashikohen reshje shiu me intensitet të lartë në zona të izoluara, të shoqëruara me shtrëngata dhe fenomene të tjera atmosferike.

Në këtë situatë, strukturave të Mbrojtjes Civile dhe institucioneve përgjegjëse në nivel lokal dhe qendror u është kërkuar të rrisin gatishmërinë dhe të marrin masa parandaluese për të përballuar çdo emergjencë të mundshme.

Bashkitë në zonat me risk më të lartë janë udhëzuar të forcojnë kapacitetet operacionale dhe të monitorojnë vazhdimisht situatën në terren, ndërsa prefekturat duhet të sigurojnë shpërndarjen e informacionit dhe të raportojnë çdo zhvillim pranë Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile.

Autoritetet u bëjnë apel qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar dhe të informohen vetëm nga burimet zyrtare.