Elektrifikimi i hekurudhës Tiranë–Durrës përfshihet në paketën 171 mln euro të BE

Bashkimi Evropian ka miratuar një paketë të re financimi në vlerë 171 milionë euro për vendet e Ballkanit Perëndimor, me fokus në përmirësimin e infrastrukturës dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik.

Sipas njoftimit të Komisionit Evropian, fondet do të shpërndahen për Shqipërinë, Bosnjë e Hercegovinën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, me synimin për të forcuar lidhjet rajonale dhe për të mbështetur procesin e afrimit me Bashkimin Evropian.

Një pjesë e rëndësishme e kësaj pakete do të përdoret për projekte infrastrukturore, ku për Shqipërinë parashikohet elektrifikimi i linjës hekurudhore Durrës–Tiranë, si edhe zhvillimi i internetit me shpejtësi të lartë. Ndërkohë, në Maqedoninë e Veriut do të financohet përmirësimi i rrjetit të transmetimit të energjisë, ndërsa në Maqedoninë e Veriut dhe Mal të Zi do të mbështetet modernizimi energjetik i objekteve arsimore. Projekte për furnizimin me ujë do të zbatohen edhe në Bosnjë e Hercegovinë.

Përveç infrastrukturës, një pjesë e konsiderueshme e fondeve do të shkojë për mbështetjen e sektorit privat, kryesisht për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, si dhe për nxitjen e bashkëpunimit mes sektorit publik dhe atij privat.

Gjithashtu, është parashikuar ndihmë teknike për Shqipërinë dhe Bosnjë e Hercegovinën, e cila do të synojë forcimin e investimeve në energji, ujë, inovacion dhe kërkim shkencor.

Komisioni Evropian ka bërë të ditur se zbatimi i projekteve do të realizohet në bashkëpunim me institucionet vendore dhe partnerët financiarë ndërkombëtarë, ndërsa Kosova dhe Serbia nuk përfshihen në këtë paketë financiare.