Ankimi i qeverisë për Ballukun, Gjykata Kushtetuese mblidhet sot për vendim

Trupa gjyqësore e Gjykatës Kushtetuese do të mblidhet këtë të martë për të marrë vendim lidhur me pezullimin nga detyra të zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku.

Më 22 janar, Gjykata Kushtetuese shqyrtoi ankimin e kryeministrit Edi Rama lidhur me vendimin për pezullimin e Ballukut. Qeveria kërkon që Gjykata të interpretojë nenin 103 të Kushtetutës, sipas të cilit anëtarët e qeverisë gëzojnë imunitetin e deputetit, dhe të vendosë nëse Gjykata e Posaçme mund të pezullojë një ministër pa autorizim nga Kryeministri.

Dy prokurorët e SPAK, Dritan Prençi dhe Dorina Bejko, kundërshtuan pretendimet e qeverisë, duke deklaruar se nuk ka konflikt kompetencash mes pushteteve dhe se pezullimi i një ministri nuk është kompetencë e Kryeministrit.

Vendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese vjen në një moment kur SPAK ka dorëzuar në Kuvend kërkesën për autorizim për arrestimin e Ballukut, duke e vendosur çështjen në qendër të debateve juridike dhe politike në vend.