Gjatë Foltores së radhës të Partisë Demokratike, të mbajtur me të rinjtë e FRPD në prani të kryetarit Sali Berisha, një nga ndërhyrjet më të forta erdhi nga Glauk Olldashi, djali i të ndjerit Sokol Olldashi.
Olldashi ngriti shqetësime serioze për gjendjen aktuale të Partisë Demokratike dhe veçanërisht për mungesën e pjesëmarrjes së qytetarëve në Foltoret e së hënës, të cilat zhvillohen para Kryeministrisë. Ai tha se problemi nuk është te qytetarët, por te mënyra se si organizohen Foltoret dhe te cilësia e folësve.
“PD ka shumë probleme sot. Do të ishte mirë t’i diskutonim pa kamera dhe media, sepse problemet e shtëpisë fliten brenda saj. Por po ndalem te një problem shumë evident: pjesëmarrja e ulët në Foltore. Njerëzit nuk duan të vijnë të hënave sepse problemi qëndron te vetë Foltorja”, u shpreh Olldashi.
Ai kritikoi hapur disa nga folësit që dalin në këto tubime, duke thënë se ata nuk e përfaqësojnë denjësisht Partinë Demokratike dhe po i dëmtojnë rëndë imazhin, veçanërisht tek të rinjtë.
“Mendimi im është që shumë nga folësit nuk janë të denjë të na përfaqësojnë. Nuk e di kush i zgjedh, por ata që dalin aty po bëjnë faj ndaj nesh, flasin kuturu, disa edhe tapë. Kjo na dëmton të gjithëve, sidomos ne të rinjve. Dëmtimi i imazhit të PD na godet më shumë ne sesa ju, doktor”, deklaroi ai.
Si zgjidhje, Olldashi propozoi një riorganizim të plotë të Foltoreve, duke sugjeruar që çdo e hënë të ketë një temë të dedikuar dhe folës profesionistë e ekspertë të fushave përkatëse.
“Çdo të hënë të bëjmë një Foltore specifike: një për arsimin, një për mjekësinë, bujqësinë, naftëtarët. Problemet në Shqipëri janë pa fund. Na duhen ekspertë, që kur njerëzit të na ndjekin të hënën, të na dëgjojnë me vëmendje dhe jo të shohin fytyra që na bëjnë të qeshim”, tha Olldashi.
Deklaratat e tij u konsideruan si një nga kritikat më të drejtpërdrejta ndaj mënyrës se si po organizohen aktualisht Foltoret e Partisë Demokratike.










