Ndryshimet në Kodin Penal: Parkimi në dy rreshta kthehet në vepër penale, parashikohet burg

Komisioni për Europën dhe Punët e Jashtme ka miratuar një ndryshim të rëndësishëm në Kodin Penal, duke ashpërsuar ndëshkimet për parkimin e automjeteve në dy rreshta. Mbledhja u zhvillua pa praninë e deputetëve të opozitës, të cilët ndodhen në terren për përgatitjet e protestës së paralajmëruar për të shtunën.

Sipas ndryshimit të miratuar, parkimi dysh, i cili deri më tani ndëshkohej me gjobë administrative, do të trajtohet si vepër penale dhe do të dënohet edhe me burg, në rastet kur pengon seriozisht qarkullimin dhe rrezikon sigurinë publike.

Relatori i ndryshimit, deputeti socialist Ervin Hoxha, argumentoi se ashpërsimi i masave ka si qëllim rritjen e sigurisë rrugore dhe mbrojtjen e jetës së qytetarëve.

“Ndëshkimi penal i parkimit në rresht të dytë synon të pengojë bllokimin e mjeteve emergjente, të parandalojë bllokimet totale të rrugëve dhe pengesat serioze për këmbësorët, si dhe të forcojë efektin parandalues të ligjit,” u shpreh Hoxha.

Ai theksoi se ndryshimet synojnë gjithashtu krijimin e një kuadri ligjor më të qartë për policinë dhe institucionet e tjera të zbatimit të ligjit, duke mundësuar ndërhyrje më të shpejta dhe më efektive në situata emergjente.

Vendimi ka ngjallur reagime të forta, ndërsa pritet të diskutohet edhe në Kuvend në ditët në vijim.