Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha sot në 15 vjetorin e 21 janarit se nuk ka asnjë përgjegjësi për ngjarjen ku u shënuan 4 viktima.Në një konferencë për shtyp, ai tha se Rama e thirri atë protestë pasi falsifikoi një video të filmuar nga Dritan Prifti dhe i kërkoi ish kryeministrit të kohës që të pranonte zgjidhjen politike ose “do të kalohej mbi kufoma”.
A keni diçka për të thënë për 21 Janarin?
Berisha: Unë i kam thënë të gjitha për këtë ngjarje, kam shkuar edhe në Prokurori dhe kam dëshmuar. Ishte protesta më e dhunshme në historinë e vendit, e dokumentuar, e faktuar. Ishte protestë me axhendë politike, siç janë dokumentet ndërkombëtare. Ishte protestë e paralajmëruar e Ramës se do tejkalohej kushtetuta. Ishte protestë e thirrur mbi bazën e falsifikimit të një regjistrimi të bërë nga Dritan Prifti, ku flitej për një letër të një pronari fitues tenderi për një hidrocentral, që e kishte marrë me gjykatë.
Edi Rama është përgjegjës kryesor për motivin dhe falsifikimin e dokumentit, për protestën e dhunshme që thirri, me një axhendë të caktuar. Më tha: prano zgjidhjen politike, ose do kalohet mbi kufoma. Nuk e di a e kanë thirrur apo jo, por ka një autor kryesor dhe ky është Edi Rama. Janë jo një, por më shumë se një deklarata të qeverisë amerikane ku kërkohet hetimi I plotë I kësaj ngjarje, nga polici I thjeshtë te organizatorët kryesorë.
Lotët që derdh janë lotë krokodili. Rama I solli ata si mish për top për pushtetin e tij. Ina Rama e hetoi çështjen, po nuk guxoi kurrë të thërrasë Edi Ramën. Garda qëlloi në kushtet e ligjit, zbatoi ligjin. Prandaj dhe ajo propozoi dënime. Kjo është historia. Edi Rama kërkon të përdorë këto viktima për të shpëtuar veten e tij.
A keni përgjegjësi morale, politike dhe ligjore për këtë ngjarje?
Berisha: Sali Berisha u rrethua në zyrë. Në qoftë se një njeri merr dhe falsifikon një dokument dhe e paraqet atë si dëshmi për një korrupsion të faktuar të zv.kryeministrit…në atë dokument dilja edhe unë si I përfshirë. Por meqenëse në copy-paste kalonin nga sekondi 25 në sekondën e 32, thanë “jo është bërë gabim, nuk është I përfshirë”. Në qoftë se bëhet një kurth i tillë, përgjegjësia ime pse Edi Rama falsifikon, ku është këtu? Më thanë “hajde të të vazhdojmë”. Jo pse do evadohesha unë? Unë isha në zyrën time. Rama ishte në kullën përballë dhe priste çastin të vinte në zyrën time të mbante fjalim. Është ngjarje fatkeqe shumë. Kam kërkuar që atë natë hetim ndërkombëtar. Ato fjalë atë (Ina Ramën) nuk i tërheq as sot. Keqardhje po, ngushëllime po që atë ditë.










